

DURRËS – Një aksident zinxhir është regjistruar mesditën e së hënës në autostradën Durrës-Tiranë, pranë zonës së Sukthit, në drejtim të kryeqytetit.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë shtatë automjete. Dyshohet se fillimisht janë përplasur dy makina, ndërsa pak metra më tej pesë automjete të tjera janë përfshirë në një përplasje zinxhir.
Për pasojë, qarkullimi në aksin Durrës-Tiranë është vështirësuar ndjeshëm, duke shkaktuar krijimin e kolonave të gjata automjetesh.
Ndërkohë, një tjetër aksident është regjistruar në drejtimin e kundërt, Tiranë-Durrës, pranë Maminasit. Dy ngjarjet kanë sjellë rëndim të trafikut në të gjithë segmentin rrugor, me radhë automjetesh që shtrihen deri në afërsi të Tiranës.
Policia e Durrësit ka bërë të ditur se nga aksidentet nuk raportohet për persona të lënduar. Efektivët ndodhen në terren për menaxhimin e qarkullimit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të dy ngjarjeve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






