

LIBRAZHD – Një zjarr i përmasave të mëdha vijon prej gjashtë ditësh të përfshijë sipërfaqe pyjore në fshatin Dardhë të Bashkisë Librazhd, ndërsa përpjekjet për izolimin e vatrave po vështirësohen nga terreni i thyer malor, era e fortë dhe temperaturat e larta.
Dhjetëra efektivë të shërbimit zjarrfikës të Librazhdit, të mbështetur nga strukturat e emergjencave civile, janë angazhuar pa ndërprerje në terren për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat pyjore.
Megjithatë, kushtet e vështira atmosferike kanë favorizuar përhapjen e zjarrit në një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të thatë dhe masive pyjore. Terreni i thepisur ka kufizuar përdorimin e mjeteve zjarrfikëse, duke detyruar ekipet të ndërhyjnë në disa zona në këmbë.
Prioritet i autoriteteve mbetet izolimi i vatrave aktive dhe parandalimi i përhapjes së zjarrit jashtë zonës së prekur. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar dhe nuk ka banesa të rrezikuara, pasi vatra e zjarrit ndodhet larg zonave të banuara.
Dardha e Librazhdit është një zonë me pasuri të konsiderueshme pyjore dhe dëmet mjedisore nga zjarri pritet të jenë të mëdha. Sipas të dhënave nga terreni, në zonën e prekur ndodhen edhe sasi të mëdha materiali drusor të thatë, të cilat favorizojnë përhapjen e flakëve.
Autoritetet kishin paralajmëruar më herët se Qarku i Elbasanit ishte ndër zonat me rrezik të lartë për zjarre, për shkak të temperaturave ekstreme dhe valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin.
Strukturat e emergjencës vijojnë monitorimin e situatës dhe operacionet për shuarjen e plotë të zjarrit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






