

NEW JERSEY – Një mesazh i vendosur në një shishe nga një vajzë 9-vjeçare është gjetur pas plot 53 vitesh, duke sjellë në dritë një histori të pazakontë dhe emocionale.
Zbulimi u bë nga John Kauterman, bashkëthemelues i organizatës "Tidelands Initiative", i cili po merrte pjesë në një aksion pastrimi të ligatinave në Upper Township, New Jersey. Gjatë pastrimit, ai hasi në një shishe të mbyllur që ruante ende letrën e shkruar më shumë se pesë dekada më parë.
Me shpresën për të identifikuar autoren e mesazhit, Kauterman publikoi një fotografi të letrës në rrjetet sociale. Postimi tërhoqi vëmendjen e Allison Spencer, motrës së vajzës, e cila tregoi se mesazhi ishte diktuar nga motra e saj Blair, atëherë vetëm 9 vjeçe, ndërsa ajo vetë, 16 vjeçe në atë kohë, e kishte shkruar për shkak të shkrimit më të rregullt. Më pas, të dyja e kishin hedhur shishen në det nga një plazh në Ocean City.
Sipas Spencer, Blair ishte një fëmijë me imagjinatë të pasur dhe një sens humori të veçantë. Ajo kujton se motra e saj ishte e bindur se një ditë mesazhi do të gjendej.
Gjatë kërkimeve, Kauterman mësoi se Blair kishte ndërruar jetë në vitin 2019, pas një beteje me kancerin. Ai zbuloi gjithashtu një rastësi të pazakontë: të dy kishin të njëjtën datë lindjeje.
Pas gjetjes, letra iu dërgua Allison Spencer, e cila planifikon ta ruajë në një kornizë të veçantë si kujtim familjar. Sipas saj, nëse Blair do të ishte ende gjallë, me shumë gjasë do të kishte thënë me buzëqeshje: "Ta thashë unë që do të gjendej."
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






