Transmetuar më 03-08-2026, 09:00

HIMARË – Katër persona janë ndaluar nga Policia pas një operacioni rreth dyorësh në det, i zhvilluar pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri nga një jaht që lundronte pranë bregdetit të Palasës.

Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:00, kur sinjalizimet për të shtëna me armë vunë në lëvizje Policinë Kufitare, forcat e Delta Force dhe FNSH-në, të cilat nisën menjëherë ndjekjen e mjetit lundrues.

Pas ndalimit të jahtit dhe shoqërimit të tij në kalatat e Porto Palermos, policia ndaloi katër personat që ndodheshin në bord. Sipas burimeve, ata janë identifikuar me inicialet B. Çela, A. Kastrati, H. Noku dhe L. Haso.

Sipas të njëjtave burime, jahti fillimisht mori drejtimin për në Greqi, por më pas ndryshoi kurs. Gjatë ndjekjes, një prej personave në bord u hodh në det në përpjekje për t’u larguar, por u kap nga Policia Kufitare.

Ndërkohë, dy persona të tjerë tentuan të afroheshin në breg me një gomone për t’iu shmangur autoriteteve. Pasi konstatuan praninë e forcave të policisë në tokë, ata u rikthyen sërish në jaht.

Në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes, mjeti lundrues fiku dritat dhe vijoi lëvizjen në det, por pas rreth dy orësh operacion u neutralizua nga forcat policore.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivet e të shtënave me armë zjarri, si dhe arsyet e përpjekjeve të personave në bord për t’iu shmangur policisë. Jahti është kontrolluar në mënyrë të imtësishme nga forcat e rendit, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike rezultatet e kontrollit.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të ndaluar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit