

MOSKË – Gjenerali rus Aleksandër Çajko dyshohet se ishte objektivi i një sulmi me bombë në një restorant në Moskë, ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë. Ngjarja ndodhi gjatë një feste me rastin e 55-vjetorit të lindjes së tij, në restorantin "Balzi Rossi", i vendosur vetëm pak qindra metra larg Kremlinit.
Sipas mediave ndërkombëtare, pajisja shpërthyese ishte një bombë artizanale e mbushur me sfera metalike, të cilat dyshohet se ishin vendosur për të rritur fuqinë shkatërruese të shpërthimit.
Dyshohet se bomba u soll në restorant nga një grua, e paraqitur si dhuratë. Sipas raportimeve paraprake, pajisja shpërtheu pasi u identifikua brenda ambienteve të lokalit. Gruaja që e kishte sjellë humbi jetën në vendngjarje.
Në festë merrnin pjesë politikanë rusë, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe përfaqësues të shërbimeve të sigurisë. Mes viktimave është edhe 27-vjeçari Danil Perendri, dhëndri i gjeneralit Çajko dhe ish-lojtar profesionist i hokejit mbi akull.
Ndërkohë, vajza e gjeneralit, Maria Perendri, 25 vjeç, mbeti e plagosur rëndë. Sipas raportimeve, ajo ka pësuar dëmtime serioze në kokë dhe po merr trajtim mjekësor.
Autoritetet ruse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e shpërthimit, ndërsa deri më tani nuk është dhënë një version zyrtar mbi autorët apo motivet e mundshme të sulmit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






