Transmetuar më 03-08-2026, 08:10

Greqia vijon të përballet me zjarre të fuqishme, ndërsa forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga banorët e zonave të prekura, kanë punuar gjatë gjithë natës për të frenuar përhapjen e flakëve.

Situata mbetet kritike në dy vatra kryesore, në zonat Psatha–Porto Germeno dhe Megara, ku zjarret vijojnë të jenë aktive.

Në zonën e Psathës, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë, ndërsa qindra zjarrfikës kanë arritur t’i mbajnë ato në një distancë prej rreth 300–400 metrash nga banesat e para, duke shmangur deri tani përhapjen drejt zonave të banuara.

Edhe në Megara, zjarri ka avancuar gjatë natës në drejtim të Nea Peramos, megjithatë autoritetet greke bëjnë me dije se në të dyja rastet fronti i flakëve po largohet gradualisht nga zonat e banuara.

Me zbardhjen e ditës kanë rifilluar ndërhyrjet nga ajri, ku avionë dhe helikopterë zjarrfikës janë angazhuar në operacionet për vendosjen e zjarreve nën kontroll.

Autoritetet kanë bërë të ditur se procesi i vlerësimit të dëmeve do të nisë menjëherë pas shuarjes së plotë të vatrave të zjarrit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit