

Ndërsa obeziteti vijon të jetë një nga sfidat kryesore për shëndetin publik në Europë, Shqipëria renditet mes vendeve me normat më të ulëta të të rriturve obezë në kontinent.
Sipas të dhënave të Eurostat, për vitin 2022, 12.6% e popullsisë shqiptare mbi moshën 18 vjeç klasifikohej si obeze. Ky tregues është dukshëm nën mesataren e Bashkimit Europian, e cila arrin në 16.3%, dhe më i ulët se në shumicën e vendeve të rajonit.
Në Ballkanin Perëndimor, vetëm Mali i Zi regjistron një normë më të ulët, me 7.8%, ndërsa Serbia ka 13.6%, Maqedonia e Veriut 15.4% dhe Bosnja e Hercegovina 15.7%. Edhe Greqia (12.8%) dhe Rumania (12.9%) renditen pak mbi Shqipërinë.
Në krye të renditjes europiane qëndron Malta, ku 26.6% e të rriturve klasifikohen si obezë. Pas saj renditen Letonia (24.6%), Islanda (24.2%), Finlanda (23.2%) dhe Irlanda (22.1%). Ndërkohë, Italia, me vetëm 7%, dhe Mali i Zi rezultojnë vendet me normat më të ulëta të obezitetit në Europë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë gjithashtu një rritje graduale të obezitetit në Bashkimin Europian gjatë dekadës së fundit. Përqindja e të rriturve obezë është rritur nga 15.2% në vitin 2014 në 16.3% në vitet më të fundit të raportuara. Nëse përfshihen edhe personat mbipeshë, më shumë se gjysma e popullsisë së rritur në BE rezulton të ketë peshë trupore mbi normat e rekomanduara.
Sipas ekspertëve, rritja e obezitetit lidhet me stilin gjithnjë e më sedentar të jetesës, uljen e aktivitetit fizik dhe ndryshimet në zakonet ushqimore.
Obeziteti matet përmes Indeksit të Masës Trupore (BMI), i cili llogaritet duke pjesëtuar peshën në kilogramë me katrorin e gjatësisë në metra. Sipas metodologjisë së Eurostat, një person konsiderohet obez kur BMI-ja është 30 ose më e lartë, ndërsa vlerat nga 25 deri në 29.9 klasifikohen si mbipeshë. Të dhënat bazohen në popullsinë mbi 18 vjeç dhe mblidhen përmes Anketës Europiane të Shëndetit (EHIS) dhe statistikave mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






