

Himarë – Policia ka ndaluar jahtin nga i cili dyshohet se janë qëlluar të shtëna me armë zjarri në ajër mbrëmjen e së dielës, në det, përballë zonës së Palasës.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti lundrues u ndoq fillimisht nga shërbimet e Policisë Kufitare. Gjatë ndjekjes, dyshohet se jahti ka fikur dritat e kabinës, në një përpjekje për t’iu shmangur identifikimit.
Në operacion u angazhuan edhe efektivët e Forcës Speciale “Delta”, të cilët bënë të mundur ndalimin e mjetit lundrues pranë plazhit të Livadhit.
Aktualisht, jahti po shoqërohet drejt molit të Porto Palermos, ku do të kryhen veprimet procedurale dhe hetimore.
Burime paraprake bëjnë me dije se personat që ndodheshin në bord do të merren në pyetje, ndërsa grupi hetimor po vijon veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar dyshimet mbi përdorimin e armës së zjarrit.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






