Transmetuar më 02-08-2026, 22:43

Detaje të reja janë zbardhur nga incidenti me armë zjarri i regjistruar mbrëmjen e së dielës pranë bregdetit të Palasës.

Sipas informacioneve paraprake, personat që ndodheshin në jaht e kanë braktisur mjetin lundrues pas ngjarjes dhe janë larguar me një gomone në drejtim të Palasës.

Ndërkohë, Policia Kufitare ka bërë të mundur lokalizimin dhe tërheqjen e jahtit në breg, ku po kryhen veprimet hetimore dhe ekspertimet për mbledhjen e provave.

Forcat e policisë kanë nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, ndërsa kontrollet vijojnë si në det ashtu edhe në zonën bregdetare.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave të përfshirë dhe sqarimin e rrethanave në të cilat u qëllua me armë zjarri.

Himarë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:00 është njoftuar se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.

Njëkohësisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.

Vijon ndjekja e mjetit lundrues, me qëllim verifikimin e informacionit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Në përfundim të operacionit për ndalimin e jahtit dhe të veprimeve të para hetimore do të jepet informacion i plotë për rastin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit