Transmetuar më 02-08-2026, 19:55

Italia ka vendosur të rikthejë përkohësisht kontrollet kufitare brenda zonës Schengen për udhëtarët që mbërrijnë nga Spanja, pas shqetësimeve të lidhura me krizën e emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës.

Ministria e Brendshme italiane ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të regjimit të lëvizjes së lirë mes dy vendeve, duke vendosur kontrolle “të synuara dhe selektive” për shtetasit jashtë Bashkimit Evropian që hyjnë në Itali nga Spanja.

Masa nuk prek qytetarët e Bashkimit Evropian që udhëtojnë mes dy vendeve.

Vendimi u bë publik nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe zëvendëskryeministrat Antonio Tajani dhe Matteo Salvini, pas mbërritjes së mijëra emigrantëve në Ceuta, territor spanjoll në Afrikën e Veriut.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi se pezullimi i përkohshëm i Schengen-it është një masë e nevojshme për mbrojtjen e sigurisë dhe kufijve evropianë.

“Pezullimi i përkohshëm i Schengen-it me Spanjën është një zgjedhje e domosdoshme për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë dhe kufijtë evropianë”, shkroi Tajani në platformën X, duke shtuar se menaxhimi i kufijve të Bashkimit Evropian duhet të jetë një përgjegjësi e përbashkët e vendeve anëtare.

Vendimi u miratua zyrtarisht gjatë një mbledhjeje në Ministrinë e Brendshme italiane, të drejtuar nga ministri Matteo Piantedosi, bazuar në vlerësimet e Komitetit Italian për Analizën e Migracionit dhe Sigurisë Kufitare.

Franca forcon kontrollet në kufirin me Spanjën

Edhe Franca ka vendosur të rrisë kontrollet përgjatë kufirit tokësor me Spanjën. Presidenti Emmanuel Macron deklaroi se Parisi do të mbështesë autoritetet spanjolle për përballimin e situatës në Ceuta.

Reagimi i Spanjës dhe debatet në Bashkimin Evropian

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kundërshtoi vendimin italian, duke deklaruar se respektimi i traktateve evropiane dhe i fakteve është i detyrueshëm për vendet anëtare.

Ai iu referua të dhënave të Frontex-it, sipas të cilave Italia ka regjistruar më shumë hyrje të parregullta emigrantësh sesa Spanja gjatë viteve të fundit, duke bërë thirrje për një Bashkim Evropian më të bashkuar në menaxhimin e emigracionit.

Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, kritikoi deklaratat e homologut italian Tajani dhe kërkoi sqarime përmes thirrjes së ambasadorit italian në Madrid.

Sipas Ministrisë së Jashtme spanjolle, situata në Ceuta nuk lidhet me politikat e legalizimit të emigrantëve, por me interpretimin e një vendimi gjyqësor për personat që hynë në territorin spanjoll duke notuar, situatë që, sipas Madridit, u shfrytëzua nga rrjete kriminale.

Disa vende të tjera të Bashkimit Evropian, përfshirë Finlandën, Holandën, Danimarkën, Çekinë dhe Suedinë, kanë shprehur shqetësime të ngjashme për kontrollin e kufijve të jashtëm të zonës Schengen.

Komisioneri Evropian për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, deklaroi se situata në Ceuta është shqetësuese, por theksoi se aktualisht nuk ka të dhëna për lëvizje masive drejt vendeve të tjera të BE-së.

Ai rikujtoi se Kodi Kufitar Schengen parashikon rregulla të veçanta për enklavat spanjolle Ceuta dhe Melilla dhe se kontrollet për personat që largohen nga këto territore vijojnë të zbatohen.

Vendimi i Italisë ka hapur një debat të gjerë politik në Evropë, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme në Itali, duke marrë mbështetje nga disa forca politike të djathta në vende të ndryshme evropiane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit