

Policia greke ka arrestuar një 26-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e shtetases skoceze Elisabeth-Jane Ross, trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur në Athinë.
Viktima, 38 vjeçe dhe e njohur nga familjarët me emrin Lisa, u gjet më 18 korrik në zonën e Kypselit, disa ditë pasi ishte shpallur e zhdukur.
Sipas autoriteteve greke, hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Skoci. Pas analizimit të provave dhe pamjeve filmike, hetuesit identifikuan një 26-vjeçar si personin e dyshuar të lidhur me ngjarjen.
Mediat britanike raportojnë se i dyshuari është me origjinë nga Afganistani. Policia greke bëri të ditur se ai u shoqërua në selinë qendrore të policisë, ku më pas dyshohet se ka pranuar autorësinë e ngjarjes.
26-vjeçari është arrestuar nën akuzat paraprake për vrasje, grabitje dhe shkelje të legjislacionit për armët. Akuzat përfundimtare pritet të përcaktohen pas përfundimit të procedurave ligjore.
Sipas hetimeve, Ross kishte mbërritur në Greqi më 26 qershor dhe kishte qëndruar në zonën e Pireut deri më 10 korrik, kur ishte larguar drejt një destinacioni ende të paqartë në rajonin e Atikës.
Autoritetet dyshojnë se i arrestuari ka transportuar trupin e viktimës në vendin ku u gjet duke përdorur një valixhe dhe më pas ka përdorur kartat bankare të saj për të kryer tërheqje parash.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






