

Kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, ka kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale, sipas të cilit kjo bashki parashikohet të shkrihet dhe të bashkohet me Bashkinë Berat.
Memaj, e cila është pjesë e Partisë Socialiste, ka dalë kundër këtij ndryshimi, duke argumentuar se Bashkia Dimal ka tregues pozitivë dhe se vendimi për shkrirjen e saj është marrë pa një proces të mjaftueshëm transparence.
“Në vitin 2021, në fund të prillit, mori emrin Bashkia Dimal. Është shumë e trishtueshme që dimaliotët të mos e gëzojnë shtëpinë e tyre të re”, u shpreh ajo.
Kryebashkiakja deklaroi se nuk sheh arsye për bashkimin me Beratin, duke theksuar se njësia vendore që ajo drejton ka pasur rritje të popullsisë dhe ka realizuar investime me të ardhurat e veta.
“Si mund të shkrihet një bashki që tregon rritje të popullsisë? Pse duhet të shkrihet një bashki që investon me të ardhurat e veta? Aq sa ka investuar Bashkia Dimal në këto vite, ka investuar edhe qeveria shqiptare aty”, deklaroi Memaj.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësime për ofrimin e shërbimeve pas një bashkimi të mundshëm me Bashkinë Berat, duke argumentuar se distanca nga qendra e re administrative mund të krijojë vështirësi për qytetarët.
Sipas Memajt, procesi nuk duhet të kufizohet vetëm te qëndrimet e kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë, por duhet të marrë në konsideratë edhe mendimin e komuniteteve lokale.
“Protestat duket se do të vijojnë. Mendimi i qytetarëve duhet të dëgjohet”, u shpreh kryebashkiakja e Dimalit.
Debati për Reformën Territoriale vijon në disa bashki të vendit, ku propozimi për riorganizimin e hartës administrative ka shkaktuar reagime të ndryshme nga drejtues vendorë dhe banorë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






