Transmetuar më 02-08-2026, 18:17

Europa vijon të përballet me një valë të gjerë zjarresh masive, ndërsa temperaturat ekstreme, thatësira dhe erërat e forta po vështirësojnë përpjekjet e autoriteteve për të kontrolluar përhapjen e flakëve.

Greqia mbetet një nga vendet më të prekura, me dhjetëra vatra zjarri aktive në zona të ndryshme të territorit. Kushtet e rënduara atmosferike kanë krijuar vështirësi të mëdha për ndërhyrjet e forcave zjarrfikëse, veçanërisht për operacionet nga ajri.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka paralajmëruar se ditët në vijim do të jenë të vështira për shkak të fenomeneve ekstreme të motit dhe intensitetit të zjarreve.

Sipas tij, erërat e fuqishme, të cilat në disa zona kanë arritur deri në 100 kilometra në orë, kanë penguar ndjeshëm operacionet për shuarjen e flakëve dhe kanë favorizuar përhapjen e tyre.

Mitsotakis ka deklaruar se në disa momente intensiteti i fenomeneve natyrore ka tejkaluar kapacitetet e planifikimit dhe ndërhyrjes së strukturave të emergjencës, duke e bërë edhe më të vështirë kontrollin e situatës.

Zjarret përfshijnë edhe vende të tjera europiane

Kriza e zjarreve nuk është kufizuar vetëm në Greqi. Që prej mesit të korrikut, vatra të shumta janë regjistruar edhe në Francë, Spanjë dhe Portugali, duke detyruar qindra mijëra persona të largohen nga zonat e rrezikuara.

Në Spanjë, autoritetet kanë raportuar një nga sezonet më të vështira të viteve të fundit për sa i përket zjarreve. Sipas të dhënave europiane, gjatë vitit 2026 janë djegur mbi 200 mijë hektarë tokë, një shifër disa herë më e lartë krahasuar me mesataren e viteve të mëparshme për të njëjtën periudhë.

Edhe Franca po përballet me vatra të konsiderueshme zjarri. Një zjarr i madh në rajonin Gironde është cilësuar ndër situatat më të pazakonta të viteve të fundit, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për izolimin e flakëve.

Situata ka prekur gjithashtu Mbretërinë e Bashkuar, ku janë regjistruar disa vatra zjarri. Ekspertët theksojnë se kombinimi i temperaturave të larta, mungesës së reshjeve dhe erërave të forta ka krijuar kushtet ideale për përhapjen e shpejtë të zjarreve në sipërfaqe të mëdha.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit