

Detaje të reja janë zbardhur nga përplasja tragjike e dy helikopterëve zjarrfikës gjatë operacionit për shuarjen e zjarreve në zonën e Psathës, në Atikë, Greqi.
Si pasojë e aksidentit ajror, dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Viktimat janë një shtetas grek dhe një shtetas rumun, ndërsa dy anëtarët e tjerë të ekuipazheve janë shpëtuar nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Sipas burimeve pranë kompanisë që kishte dhënë me qira helikopterët për Shërbimin Zjarrfikës grek, dyshimet paraprake për shkakun e përplasjes lidhen me një gabim njerëzor. Megjithatë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes.
Në bordin e dy mjeteve ajrore ndodheshin gjithsej katër persona, dy shtetas grekë dhe dy shtetas të huaj. Pas përplasjes, forcat e kërkim-shpëtimit u aktivizuan menjëherë dhe arritën të lokalizonin të gjithë anëtarët e ekuipazheve.
Dy prej tyre u gjetën të gjallë dhe u transportuan për marrjen e ndihmës mjekësore, ndërsa dy të tjerët u nxorën pa shenja jete.
Helikopterët ishin ngritur nga aeroporti i Elefsinës për t’u angazhuar në operacionet kundër zjarreve në zonën Atikë–Beoti. Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe përgjegjësive të kësaj tragjedie.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






