Transmetuar më 02-08-2026, 17:58

Propozimi për reformën e re administrativo-territoriale ka hasur kundërshtime edhe në Bashkinë e Maliqit, ku banorët shprehen kundër përfshirjes së kësaj njësie në një bashki më të madhe me Korçën.

Sipas draftit të propozuar nga Partia Socialiste, Bashkia Maliq parashikohet të shkrihet dhe të integrohet në një njësi të re administrative me Bashkinë e Korçës. Por banorët thonë se ky ndryshim do të sjellë vështirësi në marrjen e shërbimeve publike, rritje të kostove dhe probleme të veçanta për zonat e thella malore.

Ata argumentojnë se distanca me Korçën do ta bëjë më të vështirë aksesin e qytetarëve në shërbimet administrative, duke kërkuar që Bashkia Maliq të ruajë autonominë e saj.

“Unë si banor i Maliqit mendoj se kjo po bëhet për arsye politike. Në 30 vite politika nuk ka qenë në interes të qytetarëve. Maliqi nuk është trajtuar si duhet, është bërë kurban i politikës”, u shpreh një banor.

Të tjerë qytetarë ngrenë shqetësime për pasojat konkrete që mund të sjellë bashkimi me Korçën, veçanërisht për marrjen e shërbimeve që aktualisht ofrohen pranë komunitetit.

“Qytetarët do të përballen me vështirësi të drejtpërdrejta, pasi distanca është e madhe. Shërbimet i kemi këtu, pse duhet të udhëtojmë drejt Korçës për çështje që sot i zgjidhim në bashkinë tonë?”, tha një tjetër banor.

Kundërshtime janë shprehur edhe për ndikimin që kjo reformë mund të ketë te fermerët dhe zhvillimi ekonomik i zonës. Sipas banorëve, largimi i qendrës administrative mund të krijojë vështirësi për sektorin bujqësor dhe komunitetet rurale.

“Do të ndikojë te fermerët. Lidhja me Korçën do të jetë më e largët. Maliqi është një bashki e madhe dhe funksionale dhe nuk plotëson kriteret për t’u shkrirë”, deklaroi një ish-banor i zonës.

Debati për reformën administrativo-territoriale vijon të jetë në fazën e konsultimeve publike, ndërsa qëndrimet e bashkive dhe komuniteteve pritet të merren në shqyrtim gjatë këtij procesi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit