

Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve në Greqi, ku dy helikopterë zjarrfikës janë përplasur në ajër në zonën e Psathës, në Atikë.
Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet greke, viktimat janë një shtetas grek dhe një shtetas rumun.
Dy anëtarët e tjerë të ekuipazheve janë shpëtuar nga forcat e kërkim-shpëtimit dhe janë transportuar për marrjen e ndihmës mjekësore.
Shërbimi Zjarrfikës grek konfirmoi se dy helikopterët e tipit Bell, të marrë me qira për operacionet kundër zjarreve në zonën Atikë–Beoti, u përplasën gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve. Mjetet ajrore ishin ngritur pak më parë nga aeroporti i Elefsinës.
Në bordin e dy helikopterëve ndodheshin gjithsej katër persona, dy shtetas grekë dhe dy të huaj. Sipas burimeve pranë kompanisë që kishte vënë në dispozicion mjetet ajrore, një nga pistat paraprake të hetimit lidhet me mundësinë e një gabimi njerëzor.
Pas përplasjes u aktivizua menjëherë operacioni i kërkim-shpëtimit. Ekipet emergjente lokalizuan katër anëtarët e ekuipazheve, ku dy prej tyre u dërguan në spital me plagë, ndërsa dy të tjerët u nxorën pa shenja jete.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të kësaj tragjedie, e cila ndodhi në një kohë kur vendi po përballet me zjarre të mëdha dhe temperatura të larta.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






