

Një mjet lundrues tip Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare në Dhërmi, pasi u konstatua se drejtohej nga një 12-vjeçar.
Gjatë kontrolleve të intensifikuara për garantimin e sigurisë në hapësirat detare, shërbimet policore, përballë plazhit të Dhërmiut, ndaluan mjetin lundrues dhe kryen verifikimet përkatëse. Nga kontrolli rezultoi se drejtuesi ishte i mitur dhe mjeti nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm.
Për shkeljet e konstatuara, pronari i mjetit, shtetasi me inicialet M. Xh., u ndëshkua me masë administrative prej 10 mijë lekësh të rinj. Gjithashtu, mjeti lundrues u bllokua nga autoritetet.
Policia Kufitare u bën apel qytetarëve dhe subjekteve që japin me qira mjete lundruese që të mos ua besojnë ato të miturve apo personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e tyre.
Sipas autoriteteve, përdorimi i mjeteve lundruese nga persona të papërshtatshëm, veçanërisht nga të miturit, përbën rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe për sigurinë e pushuesve dhe përdoruesve të tjerë të hapësirave detare.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim parandalimin e shkeljeve, respektimin e perimetrit të sigurisë dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






