Transmetuar më 02-08-2026, 16:11

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave të zhvilluara në disa bashki të vendit kundër propozimit të Partisë Socialiste për Reformën Territoriale, duke i cilësuar si të pranueshme shprehjet e pakënaqësisë, por duke dënuar djegien e teserave të PS.

Përmes një postimi në rrjetin social X, kreu i qeverisë u shpreh se dokumenti i reformës ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik, e cila do të zgjasë 60 ditë, periudhë gjatë së cilës çdo qytetar dhe institucion ka të drejtë të paraqesë qëndrimet dhe propozimet e tij.

Rama kritikoi gjithashtu disa deputetë socialistë që kanë dalë kundër propozimit, duke deklaruar se ata kanë marrë rolin e "tribunëve të vegjëlisë" pa qenë të qartë mbi përmbajtjen e reformës.

Sipas kryeministrit, ligji parashikon që kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë të paraqesin zyrtarisht me shkrim qëndrimet e tyre për projektin, ndërsa protestat janë të ligjshme për sa kohë zhvillohen në mënyrë paqësore dhe nuk cenojnë rendin publik apo lirinë e lëvizjes së qytetarëve.

"Kush është kundër reformës ka të drejtë të protestojë, por pa bllokuar rrugët dhe pa penguar jetën normale të qytetarëve", theksoi Rama.

Kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet për mungesë debati brenda Partisë Socialiste, duke nënvizuar se askush nuk do të pengohet të shprehë mendimin e tij për reformën, ndërsa vendimi përfundimtar do t’i takojë Kuvendit pas përfundimit të procesit të konsultimit publik.

Rama shtoi se gjatë 60 ditëve të konsultimit do të zhvillohet një proces informimi mbi arsyet që kanë orientuar propozimet për ndarjen e re territoriale, duke theksuar se kriteret janë bazuar në analiza funksionale dhe administrative, e jo në argumente historike, emocionale apo tradita lokale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit