Transmetuar më 02-08-2026, 16:20

Europa vijon të përballet me një situatë të rënduar nga zjarret masive dhe thatësira, ndërsa Greqia mbetet një nga vendet më të goditura nga kriza e kësaj vere. Një zjarr i përmasave të mëdha në veriperëndim të Athinës ka shkatërruar mbi 100 banesa, ndërsa autoritetet kanë mobilizuar qindra zjarrfikës për të vënë flakët nën kontroll.

Vatra kryesore është zhvilluar pranë Porto Germenos, rreth 60 kilometra nga kryeqyteti grek, ku erërat e forta favorizuan përhapjen e shpejtë të flakëve drejt zonës së Venizës dhe pranë një poligoni ushtarak ku ndodheshin edhe municione të pashpërthyera.

Në operacionet për shuarjen e zjarrit janë angazhuar rreth 500 zjarrfikës grekë, të mbështetur nga mjete tokësore dhe ajrore, si edhe ekipe të specializuara nga Franca dhe Rumania. Krahas forcave të emergjencës, edhe banorët e zonave të prekura janë përfshirë në përpjekjet për të mbrojtur banesat dhe pronat e tyre.

"Zjarri ka qenë aktiv që prej mbrëmjes së djeshme. Forcat nuk mund të jenë kudo, ndaj edhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur shtëpitë tona", u shpreh një banor i zonës.

Autoritetet greke po përqendrojnë përpjekjet për të penguar përhapjen e flakëve drejt qytetit bregdetar të Megarës. Sipas raportimeve paraprake, deri tani janë përfshirë nga zjarri mbi 10 mijë hektarë sipërfaqe.

Një tjetër vatër e madhe zjarri është regjistruar në jug të ishullit të Kefalonisë, në zonën e Pastrës, ku disa fshatra janë evakuuar për shkak të rrezikut që paraqesin flakët.

Franca dhe Spanja, situatë më e stabilizuar

Ndryshe nga Greqia, Franca dhe Spanja po shënojnë përmirësim të situatës pas ditëve të fundit të karakterizuara nga zjarre intensive.

Në Francë, në rajonet Gironde dhe Var janë raportuar vetëm vatra të izoluara, pa përhapje të re gjatë natës. Edhe në Spanjë, shumica e zjarreve janë vënë nën kontroll. Në provincën e Cáceres, rreth 800 banorë të evakuuar janë rikthyer në banesat e tyre, megjithëse disa zona vijojnë të jenë të prekura nga tymi dhe vatra aktive.

Thatësira rëndon situatën në Europën Qendrore dhe Lindore

Përveç zjarreve, një thatësirë e zgjatur po prek disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të niveleve të lumenjve kryesorë, si Rini dhe Danubi.

Në Hungari, ulja e nivelit të Danubit ka detyruar pezullimin e aktivitetit të centralit të vetëm bërthamor të vendit, për herë të parë pas më shumë se katër dekadash. Autoritetet kanë vendosur gjithashtu kufizime në përdorimin e ujit të pijshëm në më shumë se 100 bashki.

Edhe në Serbi, Danubi ka arritur nivelin më të ulët që nga viti 1985, duke ndikuar drejtpërdrejt në prodhimin e energjisë. Hidrocentrali më i madh i vendit po funksionon vetëm me një pjesë të kapacitetit të tij.

Sipas shkencëtarëve, përkeqësimi i situatës lidhet me valët e zgjatura të të nxehtit, mungesën e reshjeve dhe efektet gjithnjë e më të dukshme të ndryshimeve klimatike mbi ekstremet e motit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit