

Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten një ndër shkaqet kryesore të humbjes së jetëve në vend, pavarësisht uljes së numrit të tyre gjatë viteve të fundit. Përballë kësaj situate, autoritetet po intensifikojnë masat për rritjen e sigurisë në rrugë, duke investuar në teknologji të avancuara për monitorimin dhe evidentimin e shkeljeve.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë përdoruesve të rrugës të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Sipas tij, respektimi i këtyre rregullave mbetet një nga elementët kyç në parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës.
Lamallari theksoi se kontrollet në akset rrugore do të vijojnë me intensitet, ndërsa Policia e Shtetit po mbështetet gjithnjë e më shumë te teknologjia moderne për monitorimin e trafikut. Makinat inteligjente, radarët dhe dronët janë tashmë pjesë e mekanizmave që përdoren për identifikimin e shkeljeve, veçanërisht atyre që lidhen me tejkalimin e shpejtësisë, mosrespektimin e sinjalistikës rrugore dhe sjelljet që rrezikojnë jetën e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në segmentet rrugore me qarkullim të dendur, duke respektuar kufijtë e shpejtësisë dhe rregullat e qarkullimit.
Ndërkohë, pritet që së shpejti të nisë zbatimi i projektit "Smart City", i cili do të sjellë një sistem të avancuar monitorimi inteligjent për rritjen e sigurisë rrugore. Projekti parashikon përdorimin e kamerave dhe teknologjive të reja për evidentimin në kohë reale të shkeljeve, duke forcuar kontrollin në rrugët urbane dhe në akset kryesore të vendit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






