Transmetuar më 02-08-2026, 13:47

TIRANË – Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet intensive në akset kryesore dhe rrugët me fluks të lartë lëvizjeje, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në qarkullim.

Sipas bilancit javor, shërbimet e Policisë Rrugore, të mbështetura edhe nga monitorimi me mjete bashkëkohore, kanë evidentuar 12,505 shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë kësaj periudhe janë konstatuar edhe 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, për të cilat autorët janë arrestuar ose proceduar penalisht.

Një prej rasteve të evidentuara ishte ai i një drejtuesi automjeti, i cili tentoi të korruptonte një efektiv të Policisë Rrugore duke i ofruar 2,000 lekë, me qëllim shmangien e masës administrative. Sipas policisë, drejtuesi ishte ndaluar pasi qarkullonte pa vendosur rripin e sigurimit.

Kontrollet kanë sjellë edhe vendosjen e 74 masave administrative për mospozicionim të rregullt të mjeteve në karrexhatë, një shkelje që mund të ndikojë në krijimin e situatave të rrezikshme në rrugë.

Gjithashtu, janë ndëshkuar 12 drejtues mjetesh që janë konstatuar duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, ndërsa 31 automjete të ndaluara ose të parkuara në kundërshtim me Kodin Rrugor janë larguar me mjet ngritës.

Për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe mungesën e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve janë vendosur 1,562 masa administrative.

Policia Rrugore u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin drejtimin nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi dhe të tregojnë kujdes maksimal për të parandaluar aksidentet rrugore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit