Transmetuar më 02-08-2026, 12:22

ROMË – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pritet të propozojë zgjerimin e të ashtuquajturit “model shqiptar” për qendrat e riatdhesimit, duke e paraqitur atë si pjesë të strategjisë së re të Bashkimit Europian për menaxhimin e emigracionit të paligjshëm.

Sipas raportimeve të medias italiane Corriere della Sera, propozimi do të jetë një nga temat kryesore që Italia do të paraqesë në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së, e thirrur pas valës së emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës, në kufi me Marokun.

Meloni synon që modeli i ngritjes së qendrave të riatdhesimit jashtë territorit të Bashkimit Europian, si marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë, të shtrihet edhe në vende të tjera. Paralelisht, Roma po shqyrton edhe marrëveshje më të forta ekonomike me shtetet afrikane për frenimin e flukseve migratore.

Sipas raportimeve, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka pranuar kërkesën e 22 vendeve anëtare për zhvillimin e një videokonference të jashtëzakonshme mbi krizën migratore. Në mesin e nënshkruesve të letrës nuk janë Franca dhe Spanja.

Qeveria italiane beson se ka mbështetjen e një numri të konsiderueshëm shtetesh anëtare, përfshirë Danimarkën, ndërsa shpreson edhe në mbështetjen e Gjermanisë. Ndërkohë, sipas mediave italiane, Komisioni Europian ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar ndaj projektit, megjithëse mundësia e krijimit të qendrave të riatdhesimit jashtë BE-së parashikohet në Paktin e ri për Migracionin.

Italia synon gjithashtu të rifillojë negociatat me disa vende partnere për ngritjen e qendrave të tilla, mes tyre Ruanda, Gana, Senegali, Tunizia, Libia, Mauritania, Egjipti, Uganda, Uzbekistani, Armenia, Mali i Zi dhe Etiopia.

Sipas qeverisë italiane, zhvillimet e fundit në Ceuta kanë treguar nevojën për një përgjigje të koordinuar europiane ndaj emigracionit të paligjshëm. Roma argumenton se mbrojtja e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian duhet të mbetet një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve anëtare.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit