

DIBËR – Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Deja”, në kuadër të kontrolleve intensive në terren dhe monitorimit me dronë për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë operacionit, në një parcelë të kultivuar në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, pronë publike në territorin e Bashkisë Dibër, u konstatuan 1,121 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Në flagrancë u arrestuan dy persona të dyshuar për kultivimin e parcelës: A.K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A.B., 39 vjeç, banues në fshatin Derjan, Bashkia Mat.
Sipas Policisë, bimët narkotike u asgjësuan në vendngjarje me anë të djegies.
Operacioni u zhvillua mbi bazën e informacioneve të siguruara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë Dibër, Mat dhe Kamëz.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht banorëve të zonave rurale, të denoncojnë çdo rast apo informacion mbi kultivimin e bimëve narkotike, duke theksuar se bashkëpunimi me publikun mbetet thelbësor në luftën kundër kësaj veprimtarie kriminale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






