

Pas një periudhe dyvjeçare ngadalësimi, tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri është rikthyer në rritje gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA), të publikuara për revistën “Monitor”, gjatë vitit të kaluar u regjistruan 36,027 kontrata shitblerjeje në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ose 15% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Tirana vazhdon të mbetet qendra kryesore e tregut, duke përfaqësuar rreth 37% të të gjitha kontratave të regjistruara në vend. Në kryeqytet, numri i transaksioneve u rrit me 9% gjatë vitit 2025, pas dy viteve radhazi me rënie të aktivitetit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se shifrat zyrtare nuk pasqyrojnë plotësisht tregun real, pasi një pjesë e konsiderueshme e apartamenteve shiten ende në fazat e hershme të ndërtimit përmes kontratave të porosisë, të cilat jo gjithmonë regjistrohen në Kadastër.
Anëtari i bordit të NAREA-s, Arbër Brahaj, vlerëson se mungesa e regjistrimit të detyrueshëm të këtyre kontratave krijon vakum ligjor, rrit mundësinë e evazionit fiskal dhe ul sigurinë juridike të transaksioneve. Sipas tij, çdo veprim juridik mbi një pronë duhet të regjistrohet pranë ASHK-së dhe të pajiset me regjistrim provizor, veçanërisht për projektet me afate të gjata ndërtimi.
Nga ana tjetër, juristi Jordan Daci rekomandon ndalimin e shitjes së apartamenteve përpara pajisjes së tyre me certifikatën e pronësisë. Sipas tij, shitjet e njohura si “në gropë” rrisin ndjeshëm rrezikun e mashtrimit për blerësit dhe detyrojnë qytetarët të financojnë projektet e ndërtuesve pa garanci të mjaftueshme ligjore.
Një qëndrim të ngjashëm mban edhe juristi Aigest Milo, i cili argumenton se kontratat e porosisë transferojnë pothuajse të gjithë riskun financiar te blerësi. Ai kërkon që ligji të parashikojë garanci të detyrueshme për sipërmarrësit gjatë fazës së ndërtimit, në mënyrë që investimet e qytetarëve të mbrohen më mirë.
Sipas ekspertëve, rishikimi i kuadrit ligjor dhe kufizimi i shitjeve të pronave përpara përfundimit të ndërtimit do të rriste sigurinë në treg, do të ulte rastet e mashtrimit dhe do të forconte besimin e qytetarëve në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






