

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar sekuestrimin e një kështjelle me vlerë rreth 2.6 milionë euro në Francë, në kuadër të hetimeve pasurore ndaj biznesmenit Ermal Beqiri.
Sipas të dhënave të publikuara nga SPAK, prona ndodhet në departamentin Oise, rreth një orë larg Parisit. Bëhet fjalë për Château d’Auteuil, një monument historik privat i vendosur në Berneuil-en-Bray, i promovuar edhe si destinacion turistik.
Identifikimi i pronës lidhet me të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të kështjellës, ku në seksionin e informacionit ligjor figuron emri "Ermal Beqiri". Gjithashtu, regjistrat francezë të pasurive të paluajtshme tregojnë se më 30 dhjetor 2024 prona është blerë për 2,612,200 euro, vlerë që përputhet me shumën e referuar nga SPAK.
Sipas autoriteteve shqiptare, përveç kësaj pasurie, janë vendosur në shënjestër të hetimit edhe mbi 2 milionë euro në llogari bankare, si dhe apartamente të tjera në Francë.
Kështjella Château d’Auteuil daton nga fundi i shekullit XVI dhe ka marrë pamjen aktuale gjatë shekullit XIX. E ndërtuar në stilin Louis XIII, ajo karakterizohet nga fasada me tulla të kuqe, çati prej guri natyror dhe një park i rrethuar me hendeqe. Fasadat dhe çatitë janë të mbrojtura si monument historik nga shteti francez.

No faqen zyrtare thuhet se restaurimi i objektit ka nisur në vitin 2003 dhe se rreth 70 për qind e ambienteve janë restauruar, duke ruajtur elementët historikë dhe duke i kombinuar me standardet moderne të akomodimit. Aktualisht, një pjesë e kështjellës funksionon si strukturë pritëse për vizitorët, ndërsa të ardhurat nga aktiviteti turistik deklarohen se riinvestohen në restaurimin dhe mirëmbajtjen e monumentit.
Hetimet e SPAK mbi pasuritë e Ermal Beqirit vijojnë, ndërsa kërkesa për sekuestrimin e pronave do t’i nënshtrohet shqyrtimit nga gjykata kompetente. Në këtë fazë, pretendimet e prokurorisë përbëjnë pjesë të procesit hetimor dhe nuk përfaqësojnë një vendim përfundimtar mbi përgjegjësinë ligjore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






