Transmetuar më 01-08-2026, 22:31

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar lidhur me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar lehtë në zonën pas Pallatit të Kulturës.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të datës 29 korrik 2026 dhe është trajtuar si vepra penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë ndërhyrë menjëherë pas njoftimit për një konflikt, duke gjetur në vendngjarje shtetasin italian me iniciale G. M., i cili kishte dëmtime të lehta sipërfaqësore.

Policia bën me dije se i riu është ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake që ndodheshin pranë zonës dhe më pas është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas personelit shëndetësor dhe kartelës mjekësore, ai ka qenë jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta në gjymtyrë.

Pas marrjes së ndihmës së parë, shtetasi italian është larguar me dëshirën e tij nga institucioni shëndetësor, pa përfunduar ekzaminimet dhe pa bërë kallëzim për ngjarjen. Edhe dy personat që e shoqëronin nuk kanë dhënë informacion për rrethanat e konfliktit.

Megjithatë, grupi hetimor ka vijuar punën duke analizuar pamjet filmike, nga të cilat ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të përfshirë dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sipas Basilicata në Shqipëri kanë qenë 6 të rinj italianë.

Njëri prej tyre ka treguar çfarë ndodhi:

“Mbërritëm në Shqipëri, në Tiranë, më 29 korrik. Po atë mbrëmje, rreth orës 21:30, pasi bëmë dush, dolëm nga apartamenti që kishim marrë me qira për të shkuar për darkë. Ishim gjashtë veta. Sapo dolëm në rrugë, njëri prej nesh hyri në një dyqan të vogël për të blerë një shishe ujë.

Në atë moment u afrua një grup djemsh vendas që na pyetën nga vinim. Ne thjesht u përgjigjëm se ishim italianë. Filluan të ecnim drejt Sheshit Skënderbej, sheshit kryesor, kur ky grup – rreth 20 djem shumë të rinj, nga 16 deri në 18 vjeç – filloi të na ndiqte.

Filluan të na hidhnin ujë, shishe dhe madje edhe gurë. Në fillim u përpoqëm t’i injoronim dhe të vazhdonim rrugën, sepse sapo kishim mbërritur – ishte nata e parë e pushimeve tona – dhe sepse ishim në një vend të huaj dhe donim të shmangnim çdo problem.”

“Situata u përkeqësua papritur – tregon i riu nga Venosa. Ata rrethuan njërin prej nesh dhe i kërkuan para, duke e kërcënuar drejtpërdrejt me thikë. Në atë moment njerëzit që ndodheshin aty filluan të largoheshin drejt policëve që ishin në zonë, ndërsa ky grup vazhdonte të na ndiqte duke hedhur gurë dhe duke goditur me grushte e shkopinj ata prej nesh që kishin mbetur prapa.

Pothuajse të gjithë arritën të shpëtonin, përveç njërit. Ata e ndaluan, e goditën me grushte, e rrëzuan në tokë dhe vazhduan ta rrihnin edhe kur ishte i shtrirë.”

Por sipas tij kishte edhe më shumë:

“Diçka e pabesueshme dhe shumë serioze ishte sjellja e agjentëve të parë të policisë që ndodheshin aty. Disa prej nesh kërkuan ndihmë të dëshpëruar, por ata bënë sikur nuk panë asgjë.

I kërkuam një kalimtareje numrin e emergjencës së policisë lokale për të thirrur ndihmë, por nuk morëm përgjigje.

Fatmirësisht më pas ndërhynë policë të tjerë, të cilët arritën t’i largonin agresorët dhe thirrën ambulancën. Njëri prej nesh pësoi plagë dhe dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe mori ndihmën mjekësore në vendngjarje.”

Pas kësaj, të rinjtë vendosën të ktheheshin në Itali dhe nisën të kërkonin një fluturim.

“Menduam për shokun tonë të plagosur dhe menduam se do të ishte më mirë ta çonim në spitalin e Venosës. Kështu, në orën 6 të mëngjesit të 30 korrikut morëm fluturimin e parë të mundshëm dhe u kthyem në shtëpi. Pasi mbërritëm në Venosa, shoku që kishte pësuar dëmtimet më të rënda u vizitua dhe u mjekua në spital.”

Ai e mbyll rrëfimin: “Më mirë t’i durosh goditjet sesa të reagosh dhe të rrezikosh goditje me thikë që mund të ishin fatale.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit