Transmetuar më 01-08-2026, 20:06

Futbolli italian vijon të nderojë figurën e legjendës së Milanit, Franco Baresi, i cili u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare. Mes homazheve më prekëse ishte ai i trajnerit legjendar Arrigo Sacchi, i cili bleu një faqe të plotë në të përditshmen sportive italiane Gazzetta dello Sport për t’i kushtuar një mesazh ish-kapitenit kuqezi.

Në faqen me sfond të kuq dhe një zemër të zezë në qendër, Sacchi shkroi: “Për kapitenin tim të jashtëzakonshëm, bastionin e fundit heroik në fushë dhe shembullin e parë të pakrahasueshëm për të gjithë. Me dashuri të madhe dhe mirënjohje të thellë.”

Homazhi i trajnerit 80-vjeçar vlerësohet si një dëshmi e lidhjes së fortë që ai kishte me Baresin, një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Milanit dhe të futbollit italian.

Sacchi dhe Baresi bashkëpunuan te Milani nga viti 1987 deri në vitin 1991, periudhë gjatë së cilës fituan dy trofe të Ligës së Kampionëve, dy Kupa Ndërkontinentale, dy Superkupa Evropiane, një titull të Serie A dhe një Superkupë të Italisë.

Dy legjendat u ribashkuan edhe në kombëtaren italiane, kur Sacchi e grumbulloi Baresin për Kupën e Botës 1994 në Shtetet e Bashkuara, ku Italia arriti deri në finale, por u mposht nga Brazili pas goditjeve të penalltive.

Homazhi i Sacchit është një nga shumë mesazhet e dhimbjes dhe respektit që kanë mbërritur nga bota e futbollit për një prej ikonave më të mëdha të Milanit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit