

Ka nisur këtë të shtunë protesta e 63-të antiqeveritare në Tiranë, ku qytetarë nga mbarë vendi, së bashku me shqiptarë të ardhur nga diaspora, janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” për t’iu bashkuar tubimit kundër qeverisë.
Protestuesit kanë filluar grumbullimin në qendër të kryeqytetit, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se protesta e sotme pritet të shënojë një pjesëmarrje të gjerë edhe nga komuniteti shqiptar që jeton jashtë vendit.
Pas mbledhjes në sheshin “Skënderbej”, pjesëmarrësit pritet të marshojnë drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe godinës së Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime dhe do të përcillen mesazhet e organizatorëve.
Protesta zhvillohet pas më shumë se dy muajsh tubime të përditshme në Tiranë. Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Përfaqësues të diasporës e kanë cilësuar pjesëmarrjen në protestën e sotme si një shenjë solidariteti me qytetarët brenda vendit, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për një tubim masiv dhe paqësor.
Në njoftimet e shpërndara në rrjetet sociale, komunitetet e diasporës kanë ftuar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar atë si një nga mobilizimet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






