

Muaji gusht pritet të nisë me temperatura shumë të larta në të gjithë vendin, ndërsa meteorologët paralajmërojnë rikthimin e valëve të të nxehtit dhe mungesë të reshjeve gjatë ditëve të para të muajit.
Meteorologu i MeteoAlb, Hakil Osmani, bëri të ditur se temperaturat në disa zona të Shqipërisë pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius, me vlerat më të larta që do të regjistrohen në qarqet e Elbasanit, Beratit, Tiranës, Gjirokastrës dhe Shkodrës.
Sipas parashikimit, 15-ditëshi i parë i gushtit do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm, diell dhe mungesë reshjesh, ndërsa temperaturat do të jenë rreth 10 gradë më të larta se vlerat normale për këtë periudhë.
Edhe zonat bregdetare pritet të përballen me nxehtësi të lartë, me temperatura që do të luhaten nga 36 deri në 39 gradë Celsius, ndërsa zona më e freskët do të mbetet juglindja e vendit, ku temperaturat pritet të jenë rreth 30-33 gradë.
Meteorologu paralajmëroi se pas një uljeje të lehtë të temperaturave në fillim të javës, vlerat termike pritet të rriten sërish dhe të afrohen pranë 40-41 gradëve.
Lehtësimi i motit pritet të vijë pas mesit të muajit, kur temperaturat mund të zbresin në rreth 36-37 gradë dhe të shtohen mundësitë për rrebeshe të izoluara shiu, kryesisht në zonat malore dhe verilindore të vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






