Transmetuar më 01-08-2026, 17:34

Pas një operacioni intensiv disaorësh me 6 mjete zjarrfikëse dhe mbi 50 efektivë nga disa bashki, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës, flakët në Drenovë të Mallakastrës u neutralizuan, duke shmangur rrezikun për banesat dhe varrezat e zonës.

Sipas përllogaritjeve paraprake të dëmeve, nga zjarri u dogjën rreth 10 hektarë sipërfaqe me ullinj dhe pyll me shkurre, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë terrenin për të parandaluar riaktivizimin e vatrave.

Ndërkohë, në Palasë të Vlorës prej mesnatës forcat zjarrfikëse po përballen me një vatër zjarri. Për të vendosur nën kontroll vatrën e zjarrit u desh ndërhyrja e dy helikopterëve.

Një tjetër zjarr i madh përfshiu fshatin Bardhet në Fushë-Arrëz, ku flakët dogjën sipërfaqe me pyje pishe dhe iu afruan banesave. Pas disa orësh ndërhyrje nga zjarrfikësit e Fushë Arrëzit, Pukës, shërbimi pyjor dhe banorët, zjarri u vu nën kontroll. Paraprakisht dyshohet se vatra u shkaktua nga pakujdesia e disa fëmijëve, ndërsa babai i tyre u shoqërua.

Po gjatë së shtunës, u shua edhe zjarri në Lagjen e Spitalit në Lezhë. Flakët, që nisën në një grumbull mbeturinash, u përhapën drejt banesave, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve shmangu dëmet. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit