Transmetuar më 01-08-2026, 17:28

Kriza e emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës ka rikthyer debatin në Bashkimin Evropian për mundësinë e pezullimit të përkohshëm të Spanjës nga zona Shengen, pas hyrjes së rreth 60 mijë personave në mënyrë të parregullt nga kufiri me Marokun.

Disa vende anëtare, mes tyre Italia, Finlanda dhe Danimarka, kanë kërkuar masa më të ashpra për kontrollin e kufijve, duke ngritur edhe mundësinë e kufizimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë me Spanjën.

Megjithatë, sipas rregullave të BE-së, përjashtimi i një vendi nga zona Shengen është një masë ekstreme që mund të merret vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur evidentohen mangësi të rënda dhe të vazhdueshme në kontrollin e kufijve të jashtëm.

Procedura do të kërkonte një propozim nga Komisioni Evropian dhe miratim nga vendet e tjera anëtare. Aktualisht nuk ka asnjë sinjal se një proces i tillë është duke nisur ndaj Spanjës.

Autoritetet evropiane kanë theksuar gjithashtu se Ceuta dhe Melilla kanë një status të veçantë në kuadër të marrëveshjes Shengen, pasi kontrollet kufitare me pjesën tjetër të zonës së lëvizjes së lirë ekzistojnë edhe aktualisht.

Ndërkohë, disa shtete mund të vendosin kontrolle të përkohshme në kufijtë e tyre me Spanjën, një masë që tashmë është ndërmarrë nga Italia pas përshkallëzimit të situatës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit