Transmetuar më 01-08-2026, 16:34

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë detaje zyrtare lidhur me arrestimin në Francë të biznesmenit Ermal Beqiraj, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.

Sipas SPAK, ndaj Beqirajt po zhvillohen hetime për një sërë veprash penale, ndër të cilat “konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “heqje e paligjshme e lirisë”, “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “grup i strukturuar kriminal”, “pastrim i produkteve të veprës penale” dhe korrupsion aktiv.

Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” në dhjetor të vitit 2025, ndërsa më pas ai u shpall në kërkim ndërkombëtar përmes Interpol Tirana me “njoftim të kuq”.

SPAK bën me dije se në qershor të vitit 2026 kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve franceze për lokalizimin e Beqirajt, pasi dyshohej se ndodhej në Francë. Hetimet e autoriteteve franceze zbuluan disa pasuri që dyshohet se kanë origjinë kriminale, përfshirë llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, mjete motorike dhe një kështjellë në departamentin Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro.

Sipas njoftimit, pasuritë e identifikuara janë bërë objekt kërkesash për ndihmë juridike me qëllim sekuestrimin e tyre në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe franceze.

Beqiraj u arrestua më 24 korrik 2026 nga autoritetet franceze, pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar pranë centralit bërthamor të Penly-t dhe u detyrua të ulej në një aerodrom në Somme. Gjykata franceze vendosi vijimin e paraburgimit të tij me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

SPAK njofton se hetimet financiare vijojnë për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera të mundshme, ndërsa kërkesa për ekstradimin e shtetasit E.B. i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë për t’iu dërguar autoriteteve franceze.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit