

Ish-burgu i Spaçit në Mirditë u kthye në një vend kujtese dhe reflektimi, ku Kardinali Ernest Simoni Troshani u rikthye pas dekadash në ambientet ku vuajti 12 vite burg gjatë regjimit komunist.
98-vjeçari vizitoi fillimisht qelitë dhe hapësirat e ish-burgut, duke u ndalur pranë fotografive të ish-bashkëvuajtësve. Më pas ai kremtoi Meshën e Shenjtë në oborrin e Spaçit, në praninë e ish-të përndjekurve politikë, besimtarëve, përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe autoriteteve.
Në fjalën e tij, Kardinali Ernest Simoni bëri thirrje për dashuri, unitet dhe mbrojtjen e së vërtetës.
“Jeni bijtë e të madhit Zot, të duani njëri-tjetrin, atdheun, me mbrojt të vërtetën. Falënderoj Zotin që na ka bashkuar, njerëzit që me admirim më kanë pritur”, u shpreh ai.
Ceremonia u shoqërua edhe me mesazhe për ruajtjen e kujtesës historike. Dom Gjergj Meta kërkoi që ish-burgu i Spaçit të mbrohet si një dëshmi e krimeve të diktaturës komuniste.
“Thirrja ime është për qeverinë shqiptare. Ky sit nuk duhet të shkatërrohet. Po u shkatërrua, brezat e rinj do të thonë se nuk ka ndodhur gjë. Kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe, sepse ajo që harrohet, përsëritet”, deklaroi ai.
Edhe të pranishmit e cilësuan ceremoninë si një moment me domethënie të veçantë. Ish-i përndjekuri Albert Melyshi tha se Spaçi mbetet simbol i vuajtjeve dhe rezistencës ndaj diktaturës.
Në shenjë mirënjohjeje për jetën dhe dëshminë e tij gjatë përndjekjes komuniste, Kardinalit Ernest Simoni iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje dhe një dhuratë simbolike me emblemën e Spaçit.
Gjatë ceremonisë u lexua edhe një mesazh i Atit të Shenjtë, Papa Leone XIV, i cili e cilësoi Spaçin si një nga plagët më të dhimbshme të historisë shqiptare, por edhe si një vend ku besimi dhe shpresa triumfuan mbi padrejtësinë.
Aktiviteti u mbyll me lutje për viktimat e regjimit komunist dhe me një apel që historia e Spaçit të ruhet dhe të mos harrohet nga brezat e ardhshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






