Transmetuar më 01-08-2026, 13:15

Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion të gjerë kontrolli në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit, me fokus evidentimin e shkeljeve ligjore dhe rritjen e sigurisë publike.

Aksioni u realizua nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë Rrugore. Kontrollet u përqendruan kryesisht te automjetet luksoze, mjetet e blinduara, automjetet me xhama të errësuar përtej normave të lejuara, si dhe ato me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese në qytet.

Sipas policisë, qëllimi i operacionit ishte verifikimi i personave me precedentë kriminalë, kontrolli për armëmbajtje pa leje, posedim të lëndëve narkotike, kapja e personave në kërkim, si dhe evidentimi i shkeljeve administrative në qarkullim.

Gjatë kontrolleve u verifikuan 61 automjete luksoze dhe 82 shtetas me precedentë kriminalë në fusha të ndryshme. Autoritetet bënë të ditur se 11 automjeteve iu hoqën xhamat e errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, ndërsa në total u konstatuan dhe u hoqën 61 xhama të errësuar, përfshirë edhe raste me xhamin e përparmë.

Nga kontrollet në terren rezultuan problematike 5 automjete, ku një prej tyre ishte i blinduar.

Ndërkohë, 6 persona janë shoqëruar nga policia pasi gjatë kontrolleve iu gjetën lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli dhe shkopinj metalikë. Gjithashtu, u konstatua edhe një drejtues automjeti që drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Policia njoftoi se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me fokus parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe garantimin e rendit e sigurisë në kryeqytet.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit