

Qeveria ka vendosur pezullimin e përkohshëm të punimeve të ndërtimit dhe aktiviteteve të lidhura me to në zonat turistike gjatë sezonit veror 2026. Masa hyn menjëherë në fuqi dhe do të jetë në zbatim deri më 15 shtator.
Vendimi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, i cili ka sqaruar se pezullimi përcakton qartë llojet e punimeve që ndalohen përkohësisht, rastet përjashtuese, zonat ku do të zbatohet masa, si dhe rregullat për subjektet që disponojnë leje ndërtimi.
Sipas ministrit, qëllimi i këtij vendimi është garantimi i një zhvillimi normal të sezonit turistik, mbrojtja e destinacioneve turistike dhe krijimi i një mjedisi më të qetë për qytetarët dhe vizitorët.
“Gjatë sezonit turistik 2026 pezullohen përkohësisht punimet e ndërtimit dhe aktivitetet e lidhura me to në zonat turistike. Kjo masë synon të garantojë zhvillimin normal të sezonit turistik, mbrojtjen e destinacioneve dhe një mjedis më cilësor për qytetarët dhe vizitorët”, deklaroi Gonxhja.
Vendimi parashikon gjithashtu monitorim nga institucionet përgjegjëse dhe masa administrative për subjektet që nuk do të respektojnë pezullimin e punimeve.
Sipas njoftimit të ministrit, dokumenti përcakton:
kategoritë e punimeve që pezullohen; aktivitetet që përjashtohen nga kjo masë; zonat turistike ku zbatohet vendimi; rregullat për lejet e ndërtimit; masat ndëshkuese në rast shkeljesh.
Autoritetet u kanë bërë thirrje subjekteve ndërtimore që të respektojnë kërkesat ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet për garantimin e një sezoni turistik më të qetë dhe me standarde më të larta.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






