

🚨 Kontrolle të forta në Tiranë/ Policia ndalon makina luksoze, verifikon persona me precedentë dhe heq xhamat e zinj
Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në terren me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe rritjen e sigurisë publike në kryeqytet.
Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në akset kryesore dhe në zona të ndryshme të Tiranës.
Në fokus të kontrolleve kanë qenë armëmbajtja pa leje, posedimi i lëndëve narkotike, kapja e personave në kërkim, si dhe verifikimi i automjeteve luksoze, mjeteve të blinduara dhe makinave me xhama të errësuar tej normave të lejuara.
Gjithashtu, policia ka kontrolluar automjetet me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese në qytet.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, gjatë kontrolleve janë verifikuar 61 automjete luksoze dhe 82 persona me precedentë kriminalë në fusha të ndryshme.
Në 11 automjete luksoze janë hequr xhamat e errësuar, ndërsa në total janë konstatuar dhe hequr 61 xhama të errësuar në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, përfshirë edhe raste në xhamin e përparmë.
Pesë automjete janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për verifikime të mëtejshme, ku njëri prej tyre ishte mjet i blinduar.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar gjithashtu gjashtë persona. Sipas policisë, atyre u janë gjetur lëndë narkotike, shkopinj bejsbolli dhe shkopinj metalikë, ndërsa një drejtues automjeti është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje dhe me tolerancë zero ndaj shkeljeve të ligjit, me synim garantimin e rendit dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






