

Këshilli Bashkiak i Rrogozhinës ka miratuar një projektvendim kundër shkrirjes dhe bashkimit të kësaj bashkie me Bashkinë e Kavajës, duke kundërshtuar planin e propozuar në kuadër të reformës territoriale.
Vendimi është marrë me dakordësi mes anëtarëve të Këshillit Bashkiak, pavarësisht përkatësive të tyre politike. Përfaqësuesit lokalë kanë argumentuar se çdo ndryshim territorial duhet të zhvillohet përmes një procesi transparent dhe duke marrë në konsideratë interesin e qytetarëve.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Rrogozhinës, Desi Gixhari, lexoi qëndrimin e përbashkët të anëtarëve përpara votimit të projektvendimit.
“Nuk mund të pranohet një vendimmarrje që prek jetën e mijëra qytetarëve pa një proces transparent. Sot, pavarësisht bindjeve politike që kemi, na bashkon mbrojtja e interesit të qytetarëve të Bashkisë Rrogozhinë”, u shpreh Gixhari.
Ajo theksoi se për çështje që lidhen me të ardhmen e komunitetit, bashkëpunimi dhe interesi publik duhet të jenë mbi ndarjet politike.
Qëndrimi i Këshillit Bashkiak vjen në një kohë kur reforma territoriale dhe riorganizimi i njësive vendore janë bërë pjesë e debatit publik, me diskutime mbi efektet që mund të kenë ndryshimet administrative te shërbimet dhe përfaqësimi i komuniteteve lokale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






