Transmetuar më 01-08-2026, 11:20

Shqipëria ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, një strategji kombëtare që synon forcimin e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të këtyre sëmundjeve.

Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar një videomesazh të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala. Sipas ministres, hepatitet virale përbëjnë një ndër shkaqet kryesore të zhvillimit të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, ndaj kontrolli dhe eliminimi i tyre është vendosur si një prioritet i politikave shëndetësore.

Plani i ri kombëtar parashikon masa për uljen e rasteve të reja të infeksioneve, zgjerimin e diagnostikimit të hershëm dhe përmirësimin e aksesit të pacientëve në trajtim.

Ministrja Sala ka deklaruar se zbatimi i kësaj strategjie do të synojë gjithashtu reduktimin e komplikacioneve të rënda shëndetësore, përfshirë cirrozën dhe kancerin e mëlçisë, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së jetës dhe në shpëtimin e më shumë jetëve.

Sipas autoriteteve shëndetësore, qasja e re do të bazohet në koordinimin e masave të parandalimit, depistimit dhe trajtimit, me synim përmbushjen e objektivave për eliminimin e hepatiteve virale në vend.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit