

Qindra banorë dhe turistë janë evakuuar me mjete detare në Greqinë qendrore, pasi zjarret e fuqishme kanë përfshirë disa zona bregdetare dhe kanë detyruar autoritetet të ndërhyjnë për largimin e njerëzve nga zonat e rrezikuara.
Rreth 500 persona, kryesisht turistë, mbetën të izoluar në zonën e Agios Vasileios në Vioti, pasi një vatër zjarri shpërtheu të premten në mëngjes dhe u përhap me shpejtësi, e favorizuar nga erërat e forta.
Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet për evakuimin e banorëve dhe pushuesve që ndodhen ende në zonat e prekura nga flakët. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të largohen drejt zonave më të sigurta, përpara se zjarri të afrohej pranë zonave të banuara.
Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar përgjatë vijës bregdetare, duke përfshirë sipërfaqe bujqësore dhe zona rurale pranë Xironomit.
Situata mbetet kritike edhe në ishullin e Kretës, ku forcat zjarrfikëse po luftojnë me vatra të shumta zjarri që kanë përfshirë mijëra hektarë tokë. Për shkak të rrezikut, rreth 8 mijë persona janë detyruar të largohen përkohësisht nga banesat dhe zonat turistike.
Vatra zjarri janë raportuar gjithashtu në ishujt Paros, Andros dhe Kalymnos, ndërsa autoritetet greke vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë territorin.
Greqia është një nga vendet europiane më të prekura nga zjarret këtë periudhë, pas valëve të njëpasnjëshme të temperaturave të larta dhe kushteve të thata.
Edhe vende të tjera të Europës po përballen me situata të ngjashme. Në Spanjë janë djegur mbi 200 mijë hektarë gjatë vitit 2026, ndërsa në Portugali një zjarr pranë Valpaços ka përfshirë rreth 15 mijë hektarë tokë, duke shkaktuar dëme në vreshta dhe ullishte. Pesë persona janë raportuar të lënduar.
Ndërkohë, edhe Turqia po përballet me dhjetëra vatra zjarri, përfshirë zona pranë Antalias. Autoritetet turke kanë bërë të ditur se që prej së mërkurës janë regjistruar 206 zjarre në të gjithë vendin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






