

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar për herë të parë pas vendimit të gjykatës për ndryshimin e masës së sigurisë nga paraburgim në “arrest në shtëpi”, pas 25 muajsh qëndrimi në qeli.
Përmes një deklarate të publikuar nga avokati i tij Ermal Yzeiraj, Beqaj ka pretenduar se qëndrimi i tij në paraburgim ka qenë i pajustifikuar dhe se afatet ligjore për këtë masë kishin përfunduar.
Ai ka theksuar se ndaj tij nuk ka ende një vendim dënimi dhe se vijon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Sipas Beqajt, gjatë hetimeve nuk është gjetur provë që të lidhet me pasuri të krijuar në mënyrë të paligjshme.
“Unë nuk kam qenë i burgosur, por në paraburgim, në kuadër të një hetimi të SPAK-ut. Deri më sot nuk kam marrë asnjë dënim, as në shkallën e parë”, është shprehur ish-ministri.
Beqaj ka deklaruar se vendimi i fundit i gjykatës ka konfirmuar se masa e paraburgimit nuk mbështetej më në dispozitat ligjore, duke shtuar se edhe përfaqësuesi i akuzës e ka pranuar përfundimin e afateve procedurale.
Ish-ministri ka kundërshtuar akuzat ndaj tij dhe ka deklaruar se gjatë gjithë proceseve hetimore nuk është gjetur asnjë provë për përfitime të paligjshme nga detyrat e tij publike.
Ai ka bërë të ditur se tashmë do të ndjekë proceset gjyqësore pranë familjes së tij dhe se do të vijojë përballjen ligjore për çështjet që lidhen me akuzat ndaj tij.
Në reagimin e tij, Beqaj ka përmendur edhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke deklaruar se do t’i japë mundësinë të dëshmojë në procesin që lidhet me koncesionin e instrumenteve kirurgjikale.
“Do të kemi mundësinë të takohemi në vjeshtë, kur të vijë si dëshmitar në këtë proces”, është shprehur ai.
Ilir Beqaj është nën hetim nga SPAK për çështje që lidhen me periudhën kur ka mbajtur poste drejtuese në administratën publike, ndërsa proceset ndaj tij vijojnë në organet e drejtësisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






