

Natë tensioni në Ceuta, një emigrant plagoset në përleshje – Shkon në 67 numri i viktimave në det
Situata në Ceuta ka qenë e tensionuar gjatë natës, ndërsa bilanci i emigrantëve që kanë humbur jetën duke tentuar të arrijnë me not brigjet e enklavës spanjolle vazhdon të rëndohet.
Sipas burimeve të Delegacionit të Qeverisë në qytetin autonom, të cituara nga ANSA, deri tani janë gjetur të paktën 67 trupa nga ekipet e zhytësve, Guardia Civil dhe shërbimet spanjolle të shpëtimit detar.
Duke përfshirë edhe 30 viktimat e regjistruara më herët gjatë këtij viti në përpjekje të ngjashme për të arritur Ceutën me not, numri i emigrantëve që kanë humbur jetën gjatë shtatë muajve të fundit arrin në të paktën 97.
Ndërkohë, tensionet kanë vazhduar edhe në territorin spanjoll në Afrikën e Veriut. Një emigrant maroken është plagosur gjatë një konflikti me një bashkëkombës pranë shkollës “Andres Manjon”.
Sipas agjencisë Europa Press, personi i dyshuar për sulmin është larguar nga vendngjarja përpara mbërritjes së policisë, ndërsa i plagosuri është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Në zonë janë marrë masa të shtuara sigurie, ndërsa autoritetet po përballen me një situatë të rënduar pas përpjekjeve të dhjetëra personave që ndodheshin të grumbulluar jashtë zonës së kontrolluar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






