Transmetuar më 01-08-2026, 10:13

VLORË/SARANDË – Policia ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione të koduara “Siguria” dhe “Transportuesit”, në kuadër të goditjes së armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Si rezultat i aksioneve, janë arrestuar 4 persona, ndërsa janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, rreth 5 kilogramë cannabis sativa, një sasi kokaine, 6 fishekë dhe dy automjete.

Në Vlorë, në kuadër të operacionit “Siguria”, u arrestua në flagrancë shtetasi E. O., 30 vjeç, banues në Vlorë. Ai u kap në një parking pranë një lokali në zonën e Lungomares, ku gjatë kontrollit fizik iu gjetën në çantë një pistoletë me 6 fishekë, 2.18 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe 4.46 gramë cannabis sativa.

Ndërkohë, në Sarandë u finalizua operacioni “Transportuesit”, pas një hetimi trejavor me metoda speciale, në bashkëpunim mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë.

Në pranga ranë tre persona: A. N., 31 vjeç, banues në Lukovë; K. J., 26 vjeç, banues në Sarandë; dhe A. C., 30 vjeç, banues në Lukovë.

Sipas policisë, tre të arrestuarit u kapën në flagrancë në aksin rrugor Nivicë–Sarandë, pranë urës së Kakomesë, teksa lëviznin me dy automjete. Gjatë kontrollit të njërit prej automjeteve, të drejtuar nga A. N., ku ndodhej edhe A. C., u gjetën dhe u sekuestruan rreth 5 kilogramë cannabis sativa, që dyshohet se ishte destinuar për shitje në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.

Nga hetimet paraprake dyshohet se K. J. lëvizte me automjetin tjetër për të monitoruar rrugën dhe për të sinjalizuar praninë e mundshme të forcave të policisë.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit