Transmetuar më 01-08-2026, 09:33

ATHINË – Hetimet për vdekjen e 38-vjeçares britanike Elisabeth Ross po zbulojnë detaje të reja tronditëse. Sipas autoriteteve greke, telefoni celular i viktimës dyshohet se është përdorur nga persona të tretë për të krijuar përshtypjen se ajo ishte ende gjallë edhe pas vdekjes.

Mediat greke raportojnë se nga telefoni i Ross janë dërguar mesazhe me tekst, në një përpjekje të dyshuar për të mashtruar familjarët dhe të afërmit dhe për të fshehur kohën e krimit.

"Telefoni po përdorej. Madje po dërgoheshin edhe mesazhe me tekst, me sa duket për t’i bërë njerëzit të besonin se ajo ishte ende gjallë. Po e trajtojmë ndërtesën si vendngjarje krimi", citohet të ketë deklaruar një oficer i policisë greke për mediat vendase.

Sipas hetimeve, ndërtesa e braktisur në zonën e Kypselit, ku u gjet trupi, konsiderohet tashmë një nga vendet ku dyshohet se mund të jetë kryer krimi.

Elisabeth Ross, me origjinë nga Skocia, kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara drejt Evropës më 29 qershor, fillimisht në Qipro dhe më pas në Athinë, ku po qëndronte me miqtë. Ajo u pa për herë të fundit më 15 korrik.

Trupi i saj u zbulua më 18 korrik brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur, pasi një person i pastrehë, i cili po kërkonte një vend për t’u strehuar, ndjeu një erë të fortë dhe, duke ndjekur burimin e saj, konstatoi se nga valixhja dilte një këmbë njeriu. Ai njoftoi menjëherë policinë.

Sipas autoriteteve, trupi ishte mbështjellë me një qese plastike dhe ishte futur me forcë brenda valixhes. Megjithatë, ekzaminimet paraprake nuk kanë evidentuar plagë apo shenja të dukshme dhune në trupin e viktimës.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe për të identifikuar autorin ose autorët e ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit