

ITALI – Bilanci i të plagosurve nga tërmeti me magnitudë 4.7 që goditi mbrëmjen e së premtes zonën e Campi Flegrei, pranë Napolit, ka arritur në 21 persona, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Lëkundja sizmike, e regjistruar në orën 19:46, konsiderohet më e forta e katër dekadave të fundit në këtë zonë vullkanike dhe është pasuar nga të paktën 30 pasgoditje, duke mbajtur mijëra banorë në gjendje alarmi.
Tërmeti shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesa dhe infrastrukturë. Autoritetet kanë evakuuar 22 familje, pasi banesat e tyre janë shpallur të pabanueshme, ndërsa shumë qytetarë zgjodhën ta kalojnë natën jashtë për shkak të frikës nga lëkundje të tjera.
Dëmet më të mëdha janë raportuar në Pozzuoli, ku u shemb një pjesë e murit të një ndërtese në Via Pergolesi. Blloqe të mëdha shtufi ranë mbi automjete të parkuara, por pa shkaktuar viktima. Në disa zona janë evidentuar edhe dëmtime të fasadave të ndërtesave.
Prefekti i Napolit, Michele di Bari, ka aktivizuar Qendrën e Koordinimit të Ndihmës, ndërsa Departamenti i Mbrojtjes Civile ka ngritur Njësinë e Krizës për menaxhimin e situatës. Në Napoli dhe Pozzuoli janë hapur qendra pritjeje për banorët e evakuuar, ndërsa po shpërndahen ujë dhe furnizime bazë.
Ndërkohë, Autoriteti Portual njoftoi se skela e Pozzuolit ka pësuar dëmtime dhe është jashtë funksionit, duke sjellë pezullimin e përkohshëm të trageteve dhe hidrofoilëve drejt ishujve. Një shtyllë e tensionit të lartë në zonën Agnano është dëmtuar pjesërisht, duke lënë pa energji elektrike rreth 100 mijë familje.
Për arsye sigurie, trafiku hekurudhor në zonën e Napolit, përfshirë linjat me shpejtësi të lartë, u pezullua përkohësisht për verifikime teknike të infrastrukturës.
Kryeministrja Giorgia Meloni po ndjek nga afër zhvillimet, ndërsa ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci, bëri të ditur se të gjitha strukturat operative janë angazhuar për të garantuar ndihmën ndaj qytetarëve dhe monitorimin e vazhdueshëm të situatës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






