Transmetuar më 31-07-2026, 22:43

Kundërshtimet ndaj draftit të ri të Partisë Socialiste për reformën administrativo-territoriale po shoqërohen me protesta në disa bashki të vendit. Në këtë klimë debatesh, deputeti socialist Erion Braçe ka bërë thirrje që procesi të mos trajtohet vetëm si një çështje teknike, por të shoqërohet me konsultime të gjera dhe dëgjesa me qytetarët e zonave të prekura.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braçe u ndal te bashkitë e Poliçanit, Divjakës dhe Libohovës, të cilat, sipas draftit të socialistëve, parashikohen të shkrihen dhe t’i bashkohen njësive të tjera vendore. Deputeti kujtoi lidhjen e tij me këto zona, duke theksuar se secila prej tyre ka një histori, identitet dhe kontribut të veçantë në zhvillimin e vendit.

Ai iu referua protestës së zhvilluar në Poliçan, ku disa qytetarë dogjën teserat e Partisë Socialiste, reagimeve kundërshtuese në Divjakë, si dhe qëndrimit të Bashkisë së Libohovës, duke vlerësuar se të gjitha këto sinjalizojnë një kërkesë të qartë të qytetarëve për t’u dëgjuar përpara se të merret një vendim përfundimtar.

Reagimi i Braçes vjen në një kohë kur projektligji për reformën e re territoriale, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ka nxitur protesta dhe kundërshtime në disa zona të vendit, mes tyre Poliçan, Klos dhe Dimal.

Në mesazhin e tij, Braçe thekson se reforma duhet të jetë më shumë sesa një ndarje administrative, duke argumentuar se komunitetet e prekura nuk mund të trajtohen si njësi të zakonshme territoriale. Ai nënvizon rëndësinë historike të Libohovës, zhvillimin ekonomik të Divjakës gjatë viteve të fundit dhe rolin strategjik të Poliçanit, duke kërkuar që këto elemente të merren në konsideratë në procesin e vendimmarrjes.

"Unë mendoj se tani është koha të dëgjojmë njerëzit. Jo thjesht drejtuesit e bashkive, por qytetarët. Ata duhet të informohen për arsyet e reformës, të shprehin argumentet e tyre dhe të jenë pjesë e debatit. Ky është një detyrim i procesit", shprehet Braçe.

Në përfundim të reagimit të tij, deputeti socialist apelon për qetësi, dialog dhe reflektim, duke theksuar se reforma administrativo-territoriale nuk është vetëm një proces teknik, por mbi të gjitha një proces që prek drejtpërdrejt komunitetet dhe identitetin e tyre..

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit