

ITALI – Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, është zyrtarisht lojtar i Genoas. Klubi italian njoftoi transferimin e 22-vjeçarit nga Al-Ittihad në formë huazimi me të drejtë blerjeje.
Mitaj, i lindur më 6 gusht 2003 dhe produkt i akademisë së AEK Athens, ka kryer vizitat mjekësore dhe është bashkuar me skuadrën e re për sezonin e ardhshëm në Serie A.
Mbrojtësi i majtë numëron 32 paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë, duke qenë pjesë edhe e ekipit që mori pjesë në Kampionatin Europian 2024. Në nivel klubesh, ai ka zhvilluar 142 ndeshje me AEK Athens, Lokomotiv Moskën dhe Al-Ittihad, duke luajtur në kampionatet e Greqisë, Rusisë dhe Arabisë Saudite, si edhe në kompeticionet vendase e kontinentale.
Me Al-Ittihad, Mitaj fitoi kampionatin dhe Kupën e Mbretit gjatë sezonit 2024/25.
Drejtori i futbollit te Genoa, Diego Lopez, vlerësoi afrimin e mbrojtësit shqiptar.
“Mario është një lojtar që kombinon dy karakteristika të rëndësishme: cilësinë teknike në ndërtimin e lojës dhe forcën mendore që nuk duhet t’i mungojë Genoas. Mirë se erdhe, Mario”, u shpreh Lopez.
Edhe vetë Mitaj u shpreh i lumtur për transferimin në elitën e futbollit italian.
“Të bashkohesha me një klub si Genoa dhe të luaja në Serie A ishte një objektiv. Dua të nis menjëherë punën në një ambient që më jep motivim të madh”, deklaroi futbollisti kuqezi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






