Transmetuar më 31-07-2026, 20:34

Kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, ka kundërshtuar publikisht propozimin e Partisë Socialiste për Reformën Administrativo-Territoriale, i cili parashikon bashkimin e Bashkisë së Divjakës me Bashkinë e Lushnjës.

Gjatë një proteste të zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit, Gorrea deklaroi se propozimi i është komunikuar pa asnjë paralajmërim dhe se ndihet i tradhtuar nga forca politike që përfaqëson.

Sipas tij, lajmi për shkrirjen e Bashkisë së Divjakës i ka ardhur “si bombë”, ndërsa shtoi se nuk ka qenë në dijeni të vendimit, pavarësisht funksionit që mban.

“Dje më ra si bombë lajmi, kur pashë që Bashkia Divjakë ishte një nga 15 bashkitë që do të shkriheshin. Ndihem i tradhtuar, sepse pa asnjë paralajmërim na vjen kjo bombë”, u shpreh Gorrea.

Kryebashkiaku argumentoi se Divjaka nuk plotëson kriteret për t’u shkrirë, duke theksuar se bashkia ka rreth 56 mijë banorë sipas të dhënave administrative dhe rreth 25 mijë banorë rezidentë sipas Censusit të vitit 2023.

Ai deklaroi se, sipas kriterit të popullsisë, Bashkia e Divjakës renditet ndër njësitë me numër më të lartë banorësh dhe nuk duhej të ishte pjesë e listës së bashkive që propozohet të bashkohen.

“Një nga kriteret ishte numri i popullsisë. Bashkia jonë ka 56 mijë banorë dhe, sipas renditjes numerike, nuk duhet të ishte pjesë e këtij procesi. Edhe sipas Censusit, kemi një numër të konsiderueshëm banorësh”, tha ai.

Ndërkohë, administrata e Bashkisë së Divjakës ka paralajmëruar se, duke nisur nga dita e hënë, do të pezullojë punën në shenjë proteste kundër projektit të reformës.

Edhe qytetarët e mbledhur në protestë kanë deklaruar se do të vijojnë tubimet çdo ditë në sheshin kryesor të Divjakës, duke kërkuar tërheqjen e propozimit për shkrirjen e bashkisë.

Propozimi për reformën e re administrativo-territoriale ka nxitur reagime edhe në bashki të tjera të vendit, ku drejtues vendorë dhe qytetarë kanë shprehur kundërshtimin ndaj projektit të paraqitur nga mazhoranca.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit