Transmetuar më 31-07-2026, 20:19

Italia ka vendosur të mbyllë përkohësisht kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën, në përgjigje të krizës së emigrantëve në Ceuta dhe shqetësimeve për sigurinë e kufijve të zonës Schengen.

Vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme italiane pas një analize të situatës në Komitetin për Analizën e Emigracionit dhe Sigurisë së Kufijve, mbledhje e drejtuar nga ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi.

Paralelisht, Piantedosi zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij francez, Laurent Nuñez, gjatë së cilës u ra dakord për forcimin e kontrolleve në kufirin tokësor mes Italisë dhe Francës, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve policore të dy vendeve.

Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri italian, Antonio Tajani, mbrojti vendimin për pezullimin e përkohshëm të zbatimit të rregullave të Schengenit me Spanjën, duke e cilësuar atë një masë të domosdoshme për garantimin e sigurisë.

Në një reagim në rrjetin social X, Tajani deklaroi se pezullimi i përkohshëm është një zgjedhje e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve italianë dhe të kufijve të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, kriza migratore në Ceuta tregon se mbrojtja e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian është një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha shteteve anëtare.

"Duhet të punojmë së bashku për të parandaluar hyrjen e flukseve të pakontrolluara të emigrantëve në territorin e Bashkimit Evropian, me të gjitha rreziqet që kjo sjell, përfshirë kërcënimin e terrorizmit, i cili duhet të luftohet pa asnjë hezitim", deklaroi Tajani.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit