

Një situatë e rënduar nga zjarret pyjore po përjetohet në Greqi, ku flakët kanë përfshirë disa zona turistike dhe të banuara, duke detyruar mijëra persona të largohen nga shtëpitë dhe vendpushimet. Erërat e forta dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e zjarreve, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave të emergjencës.
Një nga situatat më kritike është regjistruar në qytetin bregdetar Agios Vasileios, në rajonin e Viotisë, ku qindra persona, kryesisht turistë, janë evakuuar me anije pasi flakët iu afruan zonave të banuara.
Sipas autoriteteve greke, mbi 200 persona janë larguar në mënyrë të sigurt, ndërsa rreth 100 të tjerë pritet të evakuohen përmes detit. Zjarri shpërtheu të premten në mëngjes dhe bllokoi rreth 500 persona, shumica turistë.
Në ishullin e Kretës, një tjetër vatër e madhe zjarri ka djegur mijëra hektarë sipërfaqe, duke detyruar rreth 8 mijë persona të evakuohen përkohësisht nga banesat dhe strukturat turistike.
Vatra aktive janë raportuar edhe në ishujt Paros, Andros dhe Kalymnos. Autoritetet kanë paralajmëruar se kushtet meteorologjike mbeten të pafavorshme për shkak të erërave të forta dhe temperaturave ekstreme, të cilat rrisin rrezikun e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Greqia është ndër vendet evropiane më të goditura nga zjarret pyjore gjatë kësaj vere, ndërsa ekspertët lidhin intensifikimin e këtyre fenomeneve me temperaturat e larta dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike.
Situata problematike vijon edhe në vende të tjera të Europës Jugore. Në Portugali, qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët pranë Valpaços, ku janë djegur rreth 15 mijë hektarë tokë, ndërsa në Spanjë autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret si pasojë e valës së të nxehtit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






