

Autoriteti i Pavarur i të Ardhurave Publike të Greqisë (AADE) ka publikuar bilancin e kontrolleve doganore për gjysmën e parë të vitit 2026, duke zbuluar një numër të lartë rastesh të transportit të paligjshëm të valutës, produkteve të duhanit, mallrave të falsifikuara dhe artikujve të tjerë të ndaluar.
Kontrollet janë zhvilluar në aeroporte, porte, pika kufitare tokësore, automjete, bagazhe, dërgesa postare dhe ambiente magazinimi. Për zbulimin e rasteve të kontrabandës janë përdorur pajisje me rreze X dhe qen të trajnuar për identifikimin e drogës, armëve dhe mallrave të paligjshme.
Gjatë operacioneve, autoritetet greke sekuestruan mbi 2 milionë euro valutë të padeklaruar, si dhe shuma të tjera në monedha të ndryshme, përfshirë dollarë amerikanë, paund britanikë, lira turke, dinarë, lekë dhe valuta të tjera.
Gjithashtu u konfiskuan 60 monedha ari dhe gjashtë shufra ari me peshë totale rreth 190 gramë.
Rastet më të mëdha të transportit të paligjshëm të parave u zbuluan në pikat kufitare të Evzonit dhe Kipit, ku në secilin rast u gjetën mbi 700 mijë euro të padeklaruara.
Në aeroportin ndërkombëtar të Athinës “Eleftherios Venizelos”, kontrollet zbuluan shuma të fshehura në bagazhet e pasagjerëve që kishin mbërritur nga destinacione të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Stambollin, Dohën, Tiranën dhe Nju Jorkun.
Një pjesë e rëndësishme e operacioneve u fokusua në luftën kundër kontrabandës së duhanit. Autoritetet greke sekuestruan më shumë se 4 milionë cigare, rreth 70 kilogramë duhan, mijëra puro dhe produkte të duhanit të ngrohur.
Vetëm në aeroportin e Athinës, 17 pasagjerë u kapën me afro 698 mijë cigare të fshehura në bagazhe, ndërsa sasi të tjera u gjetën në çanta të braktisura.
Kontrollet evidentuan gjithashtu një aktivitet të gjerë të tregtisë së produkteve të falsifikuara. Doganat greke konfiskuan mbi 31 mijë artikuj me marka të kopjuara, përfshirë veshje, këpucë, çanta, ora dhe aksesorë.
Gjatë operacioneve u zbuluan edhe armë të paligjshme, telefona celularë, bizhuteri ari, lëndë narkotike, pesticide të ndaluara dhe dy papagaj ekzotikë.
Një rast i veçantë ishte sekuestrimi i një pjese trungu të fosilizuar nga Pylli i Fosilizuar i Lesbosit, me vlerë të përllogaritur mbi 7 mijë euro.
AADE ka bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë edhe gjatë muajve të ardhshëm, me fokus në goditjen e kontrabandës, trafikimit të paligjshëm dhe shmangies së detyrimeve doganore në kufijtë e Greqisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






